Ziadin Sela takon ambasadorin gjerman Thomas Gerberich

Sot në zyrat e Aleancës për Shqiptarët në Shkup, lideri i partisë Ziadin Sela priti në takim ambasadorin gjerman, Thomas Gerberich.
Në këtë takim të vlerësuar si shumë konstruktiv u fol për situatën aktuale politike në vend dhe jo vetëm.
Temë diskutim ishin edhe zgjedhjet e 12 prillit dhe roli i partive politike për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Lideri i ASH-së, Ziadin Sela në këtë drejtim theksoi rolin e rëndësishëm që partitë kanë, si dhe përgjegjësinë që duhet partitë politike ta mbajnë për demokracinë e zgjedhjeve, që qytetarët pa dyshim të shprehin vullnetin e tyre të lirë pa u ndjerë të kërcënuar në asnjë mënyrë.
Në takim theks të veçantë kryetari Sela i dha nevojës për reforma në gjyqësor, arsim, infrastrukturë, barazinë në administratë, lirinë e mediave dhe arritjen e plotë e shtetit të së drejtës. Dhe në këtë aspekt ai nga afër i tregoi të gjitha përpjekjet e Aleancës për Shqiptarët dhe rolin e saj në arritjen e stabilitetit në vend.
Sipas tij, vendi duhet të punojë ende shumë për arritjen e këtij qëllimi edhe më tej, si dhe për ngritjen e vendit në nivel që do të plotësonte kushtet për anëtarësim në BE.
Si çështje shumë e ndjeshme për vendin u përmend edhe migrimi i të rinjëve, që sipas kryetarit Sela duhet të ndërmerren masa që do t’i tërhiqnin të rinjtë që profesionalisht të zhvillohen në vendin e tyre, duke dhënë kontributin e tyre për të mirën e të gjithëve.
Kryetari Sela gjithashtu falënderoi ambasadorin për ndihmën që Gjermania i ka dhënë vendit në shumë sfera dhe mbështetjen që e njëjta jep për Maqedoninë e Veriut drejt rrugës së saj në BE.