Presidentit çek i dhemb humbja, thotë se e do Serbinë dhe nuk i pëlqen Kosova

Presidenti i Çekisë, Milos Zeman nuk e ka përjetuar lehtë humbjen e kombëtares së tij në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Kosova ka mposhtur 2:1 Çekinë në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020, shkruan lajmi.net.

Ndërsa, Zeman gjatë vizitës së tij në Beograd ku është pritur nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është shprehur në gjuhën angleze duke thënë “E dua popullin serb dhe Serbinë”.

Më pas, Zeman me zë të ulët ka pëshpëritur “Dhe nuk më pëlqen Kosova”.

Presidenti serb e ka falënderuar për deklaratën e tij, por kjo nuk është hera e parë që Zeman deklarohet kundër Kosovës dhe kundër pavarësisë.

Disa ditëm ë parë, duke folur për një medium serb, presidenti i Çekisë ka thënë se Praga zyrtare mund të tërheq njohjen për pavarësinë e Kosovës.

“E vlerësoj qëndrimin e Metnar (Ministër i Mbrojtjes i Çekisë), i cili ka thënë se njohja e Kosovës ka qenë gabim diplomatik. Ndaj të njëjtin opinion dhe Republika Çeke mund të jetë krah shteteve që tërheqin njohjen ndaj Kosovës”, tha Zeman.

Në këtë  intervistë për mediumin pro-rus Parlamentnji Listi, Zeman ka thënë se “kriminelët e luftës nuk duhet të drejtojnë asnjë vend në Evropë”.

Ndërkohë teksa kishte paralajmëruar vizitën e tij në Beograd ditë më parë, Zeman kishte thënë se e dëshiron integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, por thotë që jo edhe Republikën e Kosovës.

Republika e Çekisë është një prej 23 shteteve të Bashkimit Evropian që e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Presidenti 74 vjeçar i Çekisë është i njohur për qëndrimet e tij sulmuese dhe për operacionet diplomatike të çuditshme e kontroverse. /Lajmi.net/