Ministri i Kulturës, Ismaili, e hapi manifestimin “Burimet e Sharrit”

Ministri i Kulturës, Ismaili, e hapi manifestimin “Burimet e Sharrit”

Ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, mbrëmë në Qendrën e Kulturës në Tetovë mbajti fjalim në ceremoninë e hapjes së festivalit republikan tradicional të folklorit të stilizuar “Burimet e Sharrit”. Ministri Ismaili në fjalimin e tij para të pranishmëve vuri në dukje se ky manifestim paraqet një shfaqje të një numri të madh grupesh folklorike, secili në mënyrën e vet, në mënyrë unikate e përfaqësojnë vendin e vet, por edhe çdo zonë, traditën e së cilës e përfaqësojnë.
“Sivjet jam krenar edhe për faktin se Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut është mbështetëse e këtij evenimenti kulturor i cili është një vlerë e shtuar në ofertën kulturore të Tetovës dhe në një mënyrë të jashtëzakonshme e pasuron edhe jetën kulturore të qytetit. Tetova këto ditë do të pulsojë me traditën, vallet, këngët, folklorin, të cilat janë një kategori universale e civilizimit dhe pjesë e trashëgimisë kulturore botërore që është tipari kryesor i çdo kombi”, tha ministri Ismaili para të pranishmëve.
Në festivalin “Burimet e Sharrit” sivjet interpretojnë ansamblet folklorike nga Republika e Maqedonisë së Veriut, Kosova dhe Republika e Shqipërisë.