Konstatohet dorëheqja e Vesel Memedit, Arta Toçi deputetja më e re e Kuvendit

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut ka konstatuar sot dorëheqjen e Nënkryetarit të Kuvendit, Vesel Memedi.

Memedi para deputetëve ka arsyetuar dorëheqjen e tij nga kjo pozitë si dhe për dorëzimin e mandatit të deputetit.

Edhe në paraqitjen e sotme, Memedi shprehu zhgënjimin e thellë nga dy ish partnerët e tij qeveritarë, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti.

Dorëheqja e Memedit erdhi pas propozimit për rikonstruim të Qeverisë ku ministrit të partisë së tij, Suhejl Fazliu iu mor pozita ministrore.

Pas Memedit në radhë për të marrë mandatin e deputetit është Arta Toçi nga Aleanca për Shqiptarët. Toçi është profesore universitare dhe njëkohësisht ushtron pozitën e Kryetares së Forumit të Gruas pranë Aleancës për Shqiptarët.

Sipas informacioneve të in7, Toçi momentalisht ndodhet në shtëpinë e saj dhe ende nuk është nisur për në Kuvend, pasi sigurisht pret që ta thirrin shërbimet.

Pritet ndërprerja e seancës me qëllim që të mblidhet Komisioni për verifikim mandatesh, prej ku zyrtarisht do ta njoftojnë deputeten Toçi për të ardhur në Kuvend dhe ta marrë mandatin e deputetit./in7.tv/