Fillon mësimi i gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë në Kroaci

Mësuesit nga Shqipëria fillojnë për herë të parë mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e komunitetit shqiptar në Kroaci.

Lajmin e bëri të dituri Ministri shqiptar i Shteti për Diasporën, Pandeli Majko.

Dy mësuesit, Adrian Hysi dhe Suela Mile kanë nisur punën me një vizitë në shkollën 8-vjeçare “Krune Kristica”, në Zara, ku janë njohur me kurikulën mësimore të gjuhës shqipe e cila zbatohet nga mësuesit atje.

“Janë më shumë se 50 fëmijë të komunitet shqiptar të grup moshave të ndryshme, të cilët çdo të shtunë zhvillojnë mësim plotësues për mësimin e gjuhës shqipe, ndërsa me mbërritjen e mësuesve nga Shqipëria do të zhvillojnë një program më intensiv”, tha Majko.

Ai shton se “projekti në Kroaci është pjesë e programit të veçantë për mësimdhënien në Diasporë që realizohet nga Agjencia Kombëtare të Diasporës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë”.

Mësimi plotësues i gjuhës shqipe do të realizohet me tekstet shkollore të dërguara nga Qendra e Botimeve për Diasporën. /atsh