Emir Kurtishi : Cilësia e parë e një mjeku është shpresa” – shkrim që mund të merret si letër falenderimi

“Cilësia e parë e një mjeku është shpresa” – shkrim që mund të merret si letër falenderimi

Duke pas parasysh situatën aktuale shëndetësore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e cila viteve të fundit ishte e katandisur në aso gjendje që të gjithë qytetarët mund të rrezikonin humbjen e shpresës, ky besim kaq i rëndësishëm për këtë qenie njerëzore e cila shpesh herë ka ditur ta mbajë gjallë në jetë edhe në momentet më kritike dhe tragjike.
Meqenëse vetë jam jurist i diplomuar, shpesh herë në shoqërinë tonë me sarkazëm thuhet se: “në dyer të gjyqësorit dhe të doktorit mos na dërgoftë Zoti!”
Në këtë kontekst, dua të them se një gjykatës i mirë dhe një mjek i mirë mund të kenë diçka të përbashkët për dallim nga profesioni që ushtrojnë e ajo është padyshim – shpresa. Njëri mund të jepë shpresë se ekziston drejtësia – tjetri se ekziston mjekësia, respektivisht humanizmi për të shpëtuar jetë.
Si çdo hallexhi i këtij nënqielli tokësor që përballet me probleme të ndryshme shëndetësore edhe ne në familjen tonë u sfiduam nga kjo gjë. Pas analizave disa vjeçare duke pritur termine kohore madje edhe me muaj, duke u shëtitur nga njëra derë në tjetrën, më në fund këtë vit u diagnostifikua sëmundja e nënës sime. Për shqyrtim më të saktë të rezultateve na udhëzuan në Klinikën Universitare për kirurgji torakale dhe vaskulare në kuadër të Klinikës Shtetërore “Nënë Tereza” në Shkup. Pas shqyrtimit të rezultateve në kompjutorin e zyrës së kirurgut, i cili dukej shumë i heshtur dhe i menduar, më në fund na ftoi që t’i shikojmë rezultatet kompjuterike të bëra në Klinikën e radiologjisë e cila gjendet në kampusin e njejtë të Klinikës Shtetërore. Shikonim të habitur derisa na spejgonte kirurgu sëmundjen e rrezikshme që e kishte kapluar nënën time e cila në atë moment me lot në sy sa nuk u alivanos dhe me zë të qartë dhe të prerë na u drejtua se nëna ime patjetër do të duhej t’i nënshtrohej operacionit përndryshe do të shkonte puna edhe më keq! Pa fjalë dhe me heshtje të plotë dolëm prej zyre me mendje të mjegulluar. Nuk po gjeja fjalë që ta ngushëlloja disi nënën time e cila tashmë shikimin e kishte të humbur diku tjetër përderisa gjindeshim në kampusin e Klinikës. Kirurgu priste përgjigje pas ca ditëve. Nuk dinim çfarë të bëjmë dhe si të vendosim. Vallë cila do të ishte zgjidhja më e mirë? Për kërshëri hapa internetin dhe po lexoja ca informacione për sëmundjen në fjalë nëse e njejta mund të kurohej me medikamente dhe pa ndërhyrje kirurgjikale. Por, më kot! Nëna ima vazhdonte terapinë e saj të caktuar nga mjeku neurologjik, por nuk kishte rezultate.
Pas ca ditëve në rrugët e njejta të Klinikës vazhdonim të ecnim së bashku me nënën time duke u drejtuar Klinikës për kirurgji torakale dhe vaskulare ku na prisnin stafi mjekësorë për detaje më të hollësishme të ndërhyrjes kirurgjikale. Zyra ishte e mbushur me uniforma sa blu aq edhe të gjelbërt, që njëkohësisht sa ngjallin ndjenja të trishtueshme aq edhe shpresëdhënëse në momente kritike.
Duke biseduar me kirurgët e Klinikës, që gjendesha vazhdimisht në stres dhe në gjendje emocionale sa të trishtueshme aq edhe gëzuese pas fjalëve të kirurgëve se nëna ime nuk do t’i nënshtrohej operacionit klasik si rëndom por një operacioni me metoda bashkëkohore dhe të avancuara që ndryshe ndër mjekëve që njihej si kirurgji laparoskopike. Këtë kumtim kur na e dhanë me buzëqeshje kirurgët, në këto momente kritike seç ndjeva një gëzim dhe se shpresa ndal nga dal e venitur po rikthehej po në atë zyre, e cila më vonë e mësova se është e Drejtorit dhe Doktorit të Klinikës Universitare për kirurgji torokale dhe vaskulare, z. Nexhati Jakupi. Mirëpo, ai na tha se për kryerjen e këtij operimi do të duhej të prisnim një doktor i cili do të vinte nga Turqia gjatë këtij muaji. Duke u interesuar për doktorin në fjalë i cili do ta shëronte nënën time, klikova në internet për informacione shtesë rreth këtij doktori turk, emri i të cilit ishte Prof. Dr. Hasan Fevzi Batirel. Kishte nje artikull të shkruar rreth tij ku që në fillim të artikullit shkruante se doktori në fjalë me operimet vullnetare që i kryen në Shkup shpëton jetët e pacinetëve në vend. Në atë artikull pashë fytyrën e njohur të kirurgut që u ndamë pak çaste më parë. Po pra, ishte fytyra e Drejtorit, z. Nexhati Jakupit! Ai para disa vitesh qenka takuar me doktorin turk në një Kongres mjekësor ballkanik dhe se i është drejtuar me kërkesë që të kryejë operime dhe të jap trajnime për personelin mjekësor në Maqedoninë e Veriut. Ai së bashku me doktor Hasanin kryenin ndërhyrje kirurgjikale me metoda të veçanta përmes video-asistencës. Ja pra, shpresa po vinte në vendin e vet! Edhe pse duhej t’i nënshtrohemi një operacioni të rëndë disi ndiheshim të lehtësuar. E më të lehtësuar padyshim na bënë fjalët e doktorit Nexhati Jakupi, i cili e ngushëllonte nënën time tani të operauar duke i dhënë kurajo dhe se gjithçka do të shkonte ashtu siç duhet dhe me sukses. Përshtypja pozitive e doktorit në të tilla raste më dha kurajo edhe mua për jetë dhe për ca momente e imagjinoja veten time në vendin e tij duke shpëtuar jetë njerëzish. Sa kënaqësi e madhe, t’ia kthesh buzëqeshjen një njeriu të pashpresë në fytyrë!

Përgjatë qëndrimit dyditor të nënës sime në spital e cila tani është në shtëpi shëndosh dhe mirë, nuk mund t’i harrojmë momentet e kaluara bashkë gjatë përgatitjes së operacionit dhe fazës së post-operimit, ku Drejtori dhe Doktori z.Nexhati Jakupi me kujdesin e tij, përkushtimin e tij personal ndaj pacientëve, shërbimin shumë profesional si dhe për mikëpritjen në Klinikën të cilën e drejton ai, me plotë fjalë mund të them se u mundëson pacientëve të ndihet si në shtëpi. Ky kompenzim respekti dhe mikëpritje na bënë që të harrojmë të gjitha vajtje-ardhjet, pritjet në korridoret e Klinikave, mundimet për diagnostifikimin e sëmundjeve e kështu me radhë. Ne, qytetarë të thjeshtë të këtij nënqielli të Maqedonisë Veriore, që lirisht mund të betohem, pa kurrfarë njofësie, lidhje, para u pritëm dhe u trajtuam si të ishim në ndonjë spital privat evropian. Gjatë qëndrimit pranë nënës sime, po mendoja se në shëndetësi ende ka shpresë, me njerëz të tillë asgjë nuk duket e pamundur. Madje, edhe i pashpresi mund të bëhej i shpresë. Fundi, fundit mu kujtua thënia e cituar e Prof. Dr. Hasan Fevzi Batirel, kirurgut turk në artikullin kushtuar tij se “Roma nuk u themelua për një ditë.”
Në fund, nuk mundem pa falenderuar z.Nexhati Jakupi, Drejtorin dhe Doktorin e Klinikës Universitare për kirurgji torokale dhe vaskulare, që në sot në Shkup kemi shërbime kualitative mjekësore respektivisht kirurgjikale, e cila padyshim mund të karahasohet në nivel evropian por edhe botëror. Thënia më lartë e cituar autor i së cilës është James Little, i përshtatet shumë këtij Doktori që i jam mirënjohës dhe do të ngel gjatë në kujtimet e mija.

Emir Kurtishi – student në ciklin e dytë të studimeve – E drejta kushtetuese dhe administrative UEJL.