Arsenali shtyn festën e kualifikimit, goli i Mustafit nuk i mjafton ndaj Guimaraes!

Goli i një shqiptari nuk i mjaftoi Arsenalit që duhet të presë të paktën edhe 1 ditë për të siguruar edhe matematikisht kualifikimin në fazën tjetër të Europa League. Në sfidën që hapi raundin e 4-t të ndeshjeve në grupe topçinjtë e Unai Emery barazuan 1-1 në transfertën portugeze ndaj Vitoria Guimaraes. Ky ishte barazimi i parë për Arsenalin në grupin F pas tre fitoreve në 3 ndeshjet e para. Në stadiumin Afonso Henrique në Guimaraes nën rreshjet e shiu të rrëmbyer, anglezët zhbllokuan shifrat shumë vonë me një goditje me kokë të Shkodran Mustafit pikërisht në minutën e 81-të. Por për t’i hequr fitoren nga duart Arsenalit në këtë ndeshje që luante pa shumë titullarë dhe për t’i dhënë pikën e parë në grupe skuadrës portugeze mendoi Duarte që në minutën e 91-të barazoi shifrat në 1-1.